Përkthime

Tryeza e Lëndës

Udhërrëfyes Fillimi të Shpejtë Për Briar-in

Ç’është Briar-i?

Briar është një aplikacion shkëmbimi mesazhesh i menduar për aktivistë, gazetarë dhe këdo tjetër të cilit i duhet një rrugë e parrezik dhe e fuqishme komunikimi.

Ndryshe ma aplikacionet tradicionale të shkëmbimit të mesazheve, Briar-i nuk bazohet në një shërbyes qendror - mesazhet njëkohësohen drejtpërsëdrejti mes pajisjeve të përdoruesve.

Nëse Interneti s’punon, Briar-i mund të bëjë njëkohësim përmes Bluetooth-i ose Wi-Fi, duke ruajtur rrjedhjen e informacionit në kohë krizash. Nëse Interneti punon, Briar-i mund të njëkohësohet përmes rrjetit Tor, duke i mbrojtur përdoruesit dhe marrëdhëniet e tyre nga survejimi.

Krijoni një llogari

Kur hapni aplikacionin Briar për herë të parë, do t’ju kërkohet të krijoni një llogari. Llogaria juaj do të depozitohet në mënyrë të siguruar në pajisjen tuaj, e fshehtëzuar me fjalëkalimin tuaj.

Zgjidheni me kujdes emrin tuaj të përdoruesit, ngaqë s’mund ta ndryshoni më vonë. Mund të zgjidhni të njëjtën nofkë me dikë tjetër, mu si jetën e përditshme.

Zgjidhni një fjalëkalim që është e zorshme të hamendësohet, por i kollajtë për t’u mbajtur mend. Nëse harroni fjalëkalimin tuaj, s’ka rrugë si të rifitoni hyrjen në llogarinë tuaj.

Nëse ju duhet të fshini shpejt e shpejt llogarinë tuaj, thjesht çinstaloni aplikacionin Briar.

Rregullime baterie

Pasi të zgjidhni nofkën dhe fjalëkalimin tuaj, Briar-i do t’ju kërkojë leje të çaktivizojë optimizime të baterisë, që të mund të xhirojë në prapaskenë. Kjo është e nevojshme, ngaqë s’ka shërbyes për të marrë mesazhet në këmbën tuaj, teksa Briar gjendet në prapaskenë: Briar-i ka nevojë t’i marrë vetë këto mesazhe.

Në pajisje Huawei dhe Xiaomi do t’ju kërkohen hapa shtesë për ta lejuar Briar-in të xhirojë në prapaskenë. Ju lutemi, ndiqini me kujdes këto udhëzime.

Shtoni një kontakt

Pasi të krijoni llogarinë tuaj, do të shihni një listë kontaktesh të zbrazët. Për të shtuar një kontakt, shtypni butonin plus (+). Ka dy mundësi, në varësi të faktit se personi që doni të shtoni është atypari.

Nëse një person që doni të shtoni është atypari, zgjidhni “Shtoni kontakt atypari”. Nëse personi që doni të shtoni s’gjendet atypari dhe keni Internet, zgjidhni “Shtoni kontakt në largësi.

Shtoni kontakt atypary

Kur zgjidhni “Shtoni kontakt atypari”, Briar-i do të kërkojë leje të përdorë kamerën tuaj, që të mund të skanojë kodin QR të kontaktit tuaj. Briar-i do të kërkojë gjithashtu leje të njohë vendndodhjen tuaj, që të mund të lidhet përmes Bluetooth-i. Briar-i nuk depoziton, ndan me të tjerë, apo ngarkon vendndodhjen tuaj, kjo leje është e nevojshme për të zbuluar pajisje Bluetooth atypari. Më në fund, Briar-i do të kërkojë leje për të hapur Bluetooth-in dhe për ta bërë pajisjen tuaj të dukshme, për një kohë të shkurtër, për pajisje Bluetooth atypari.

Pasi të akordohen këto leje, Briar-i do të shfaqë një kod QR dhe një objekti kamere. Skanoni kodin QR të kontaktit tuaj dhe lejojini të skanojnë tuajin. Pasi gati 30 sekondash pajisjet tuaja do të duhej të jenë të lidhura me njëra-tjetrën dhe kontakti juaj të jetë shtuar në listën tuaj të kontakteve.

Nëse pajisjet tuaja s’arrijnë të lidhen me njëra-tjetrën, të dy ju duhet të ktheheni te lista e kontakteve dhe të rinisni procesin.

Shtoni kontakt në largësi

Kur zgjidhni “Shtoni kontakt në largësi”, Briar-i duhet të shfaqë një lidhje që duhet t’ia dërgoni personit që doni të shtoni. Mund ta dërgoni lidhjen me një aplikacion tjetër, bie fjala, Signal. Lypset që edhe kontakti juaj t’ju dërgojë lidhjen e vet. Ngjiteni lidhjen e kontaktit tuaj dhe zgjidhni një nofkë për të. Nëse ju dhe kontakti juaj që të dy jeni regjistruar në Briar dhe që të dy keni Internet, atëherë kontakti juaj do të duhej të shtohej te lista juaj e kontakteve brenda pak minutash.

Dërgoni një mesazh

Pas shtimit të kontaktit tuaj të parë, për t’i fërguar mesazhin tuaj të parë, prekni emrin e tij te lista e kontakteve. Rrethi në krah të emrit të kontaktit tuaj do të bëhet i gjelbër, kur Briar-i është lidhur me kontaktin tuaj përmes Interneti, Wi-Fi ose Bluetooth-i.

Prezantoni kontaktet tuaja

Që të prezantoni kontaktet tuaj me njëri-tjetrin, që të mos u duhet të takohen personalisht me njëri-tjetrin, mund të përdorni veçorinë e prezantimeve.

Shkruani një postim blogu

Që të shkruani postime që do t’i shohin krejt kontaktet tuaj, mund të përdorni veçorinë blog. Mundeni edhe të riblogoni postime nga persona të tjerë, që t’i lini të shihen nga krejt kontaktet tuaj.

Mbani parasysh se s’mund të fshini postime blogu, pasi të jenë dërguar.

Krijoni një forum

Për të krijuar diskutime në grup dhe për të ftuar kontaktet tuaj, mund të përdorni veçorinë forum. Cilido që bën pjesë te një forum, mund të ftojë për të ardhur kontaktet e veta.

Komunikoni jashtë linje

Shtrirja e sinjalit Bluetooth-it dhe Wi-Fi-t është afërsisht 10 metra, varet nga pengesat. E qartë që kjo nuk mjafton për komunikim përmes një qyteti, apo madje edhe brenda një ndërtese të madhe. Ndaj Briar-i e merr një mesazh nga një kontakt atypari, e depoziton mesazhin dhe më vonë mund t’ia kalojë kontakteve të tjera, kur janë brenda shtrirjes së sinjalit, (për shembull, kur kaloni nga një vend në një tjetër).

Ju lutemi, kini parasysh se Briar-i mund të njëkohësojë mesazhe vetëm me kontaktet tuaj, jo me të huaj atypari që po përdorin Briar-in. Dhe do të njëkohësojë vetëm mesazhet që keni zgjedhur për të ndarë me secilin kontakt. Për shembull, nëse ftoni kontaktet tuaj X dhe Y të marrin pjesë në një forum dhe këta pranojnë, atëherë mesazhet e atij forumi do të njëkohësohen me X-in ose Y-in kurdo që këta janë brenda shtrirjes së sinjalit. Pra mund të merrni mesazhe forumi nga X-i në një vendndodhje, të shkoni në një tjetër vendndodhje dhe t’ia jepni këto mesazhe Y-it.

Por kjo nuk bën punë për mesazhe private: ato njëkohësohen vetëm drejtpërsëdrejti mes dërguesit dhe marrësit.

Lidhuni me kontaktet tuaja jashtë linje

Kur takoheni me dikë nga kontaktet tuaja Briar, mund të përdorni veçorinë “Lidhu përmes Bluetooth-i”, te skena e bisedave, për të bërë një lidhje Bluetooth mes pajisjeve tuaja. Pasi ta bëni një herë këtë, pajisjet tuaja duhet të lidhen vetvetiu në të ardhmen, por kjo mund të dojë një a dy minuta, pasi kontakti të jetë brenda zonës së veprimit. Nëse s’doni të prisni, mund të përdorni sërish veçorinë “Lidhu përmes Bluetooth-i”, për të bërë menjëherë një lidhje.

Nëse një grup personash brenda shtrirjes së sinjalit Wi-Fi duan të komunikojnë, mund të jetë e dobishme të krijojnë një “hotspot” Wi-Fi në telefonin e një personi. Edhe nëse hotspot-i s’ka Internet, Briar-i mund të komunikojë me kontaktet që janë të lidhur te i njëjti “hotspot”.

Nëse është me shumë rrezik të bartni telefonin tuaj nga një vend në një tjetër (për shembull, në postblloqe), mund të njëkohësoni mesazhe të fshehtëzuar duke përdorur një diskth USB ose një kartë SD për t’i bartuar ato pa u vënë re.

Përdorni një forum për komunikim jashtë linje

Një forum është një rrugë e goditur që një grup personash të mbajnë lidhjet pa Internet. Që të siguroheni se postimet e forumit janë të njëkohësuara mes krejt anëtarëve të forumit, prezantoni krejt anëtarët me njëri-tjetrin, që të bëhen kontakte të njëri-tjetrit, si dhe sigurohuni se gjithkush fton gjithkënd tjetër te forumi dhe pranon ftesat, edhe nëse janë pjesë e forumit. Kjo do të sigurojë se kurdo që dy anëtarë gjenden brenda shtrirjes së sinjalit Bluetooth ose Wi-Fi, ata mund të njëkohësojnë mesazhet e forumit që kanë marrë.

Ndani aplikacionin me të tjerët

Nëse dikush në grupin tuaj ka nevojë të instalojë Briar-in dhe nuk ka Internet, mund t’ia jepni aplikacionin duke zgjedhur “Ndajeni këtë aplikacion me të tjerë jashtë linje”, që nga menuja e Briar-it. Kjo krijon një “hotspot” Wi-Fi pa Internet, prej nga i cili ata mund të shkarkojnë aplikacionin që nga pajisja juaj.

Kurseni bateri dhe të dhëna

Briar-i përdor shumë energji baterie dhe të dhëna për t’u lidhur me kontaktet tuaja përmes Interneti. Ndaj, kur jeni në lëvizje, veçanërisht nëse keni sasi të kufizuar trafiku të dhënash në celular, duhet të vini në kandar nëse ju duhet apo jo përdorimi i Briar-it për komunikim në linjë dhe jashtë linje, ose nëse do të ishte më mirë të përdorej diçka si Signal-i për komunikime në linjë dhe të përdorni Briar-in kur s’keni Internet. Mund të bini dakord për një kohë të ditës kur ju dhe kontaktet tuaj të jeni në linjë në Briar dhe ta mbani jashtë linje pjesën tjetër të kohës.

Mundeni të kontrolloni nëse përdor apo jo Briar-i Internetin, duke zgjedhur “Rregullime” dhe mandej “Lidhje”, që nga menuja kryesore e Briar-it. Ka gjithashtu mundësi për t’u lidhur në Internet vetëm kur ngarkohet bateria, ose vetëm kur lidhet në Internet përmes Wi-Fi, për të kursyer baterinë dhe trafik të dhënash celulare.

Dërgoji përshtypjet

A është i dobishëm ky udhërrëfyes? A ka diçka tjetër që duhet shtuar, hequr, apo bërë më e qartë? A funksionoi siç pritej aplikacioni?

Ju lutemi, dërgoni anonimisht përshtypjet, duke zgjedhur “Dërgoni përshtypje”, që nga menuja kryesore e Briar-it. Nëse s’keni Internet, përshtypjet tuaja do të ruhen dhe dërgohen herës tjetër që do të jeni në linjë.

Mundeni edhe t’i dërgoni përshtypjet te contact@briarproject.org.